Trump kërcënon me tarifa 25% për iPhonet e prodhuar jashtë SHBA-së

Presidenti Trump sulmoi ashpër Apple të premten, duke e kërcënuar kompaninë me një tarifë prej 25% për iPhone nëse nuk e zhvendos prodhimin në SHBA.

“Kohë më parë e kam informuar Tim Cook të Apple se pres që iPhone-t e tyre që do të shiten në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të prodhohen dhe ndërtohen në Shtetet e Bashkuara, jo në Indi apo ndonjë vend tjetër”, shkroi Trump në Truth Social. “Nëse nuk është kështu, një tarifë prej të paktën 25% duhet t’u paguhet SHBA-ve nga Apple. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”

Postimi i Trump vjen disa ditë pasi partneri kryesor i prodhimit të Apple, Foxconn, njoftoi një investim prej 1.5 miliardë dollarësh në njësinë e saj në Indi. Apple ka kërkuar të zhvendosë prodhimin e pajisjeve në Indi, ndërsa lufta tregtare me Kinën nën drejtimin e Presidentit Trump merr kthesa të paparashikueshme.
Në një konferencë për të raportuar të ardhurat më parë këtë muaj, Cook tha se shumica e iPhone-ve të shitur në SHBA “do të kenë Indinë si vend origjine”.
Presidenti Trump shprehu pakënaqësinë e tij për zhvendosjen e Apple në Indi javën e kaluar, ndërsa ishte në Lindjen e Mesme, sipas CNN. Të dy burrat u takuan gjithashtu të martën, raportoi CNN, megjithëse detajet mbi atë që diskutuan ishin të pakta.
Trump ka filluar të shtojë sulmet ndaj kompanive që përpiqen të shmangin pasojat e tarifave të vendosura nga SHBA-ja. Vetëm këtë fundjavë, ai shkroi një postim ku i bënte thirrje Walmart të “HAJË TARIFAT”, në vend që t’ua kalojë ato blerësve.