Apple bën një hap prapa në drejtim të kthimit në zyrat e punonjësve
Në një njoftim të brendshëm të zbuluar nga Bloomberg të martën, duket se Apple ka vendosur të shtyjë vendimin e marrë për të kthyer punonjësit e zyrës në një orar hibrid, i cili do të fillonte zbatimin nga 23 maj.
Arsyeja e përmendur në këtë njoftim është “rritja e rasteve pozitive me COVID-19”, çka do të bëjë të mundur shtyrjen e këtij vendimi deri në një njoftim të dytë. Megjithatë ky njoftim mund të mos jetë edhe aq i rastësishëm.
Vetëm pak ditë më parë Ian Goodfellow, ish-drejtuesi i Machine Learning në Apple u largua nga kompania, duke siguruar një punë në Alphabet (kompania mëmë e Google) DeepMind pasi u acarua nga vendimi për t’u kthyer në zyrat e Apple. “Unë besoj se ofrimi i më shumë fleksibilitet do të ishte vendimi më i mirë për ekipin tim.” ka treguar ai në një deklaratë.
Kjo është një goditje e madhe për kompaninë, pasi Apple nuk ka arritur të bindë punonjësit e saj që të kthehen në zyra, madje shumë janë të gatshëm të lënë punën e tyre nëse nuk lejohen të punojnë nga shtëpia.
Nga ana tjetër, një grup punonjësish në Apple i shkruan një letër publike drejtuesve të kompanisë ku kritikuan qartë politikat e reja të kompanisë. “Ne nuk kërkojmë që të gjithë punonjësit të detyrohen të punojnë nga shtëpia. Ne duam që ju të na jepni një zgjedhje. Ju na trajtuat shumë si nxënës të shkollës që duhet të drejtohemi se kur dhe ku duhen bërë detyrat e shtëpisë”, kanë shkruar punonjësit.