Amazon bllokon 1,800 punonjës IT nga Koreja e Veriut që të hyjnë në kompani
Gjigandi i tregtisë elektronike Amazon ka bllokuar më shumë se 18,00 aplikantë për punë nga agjentë të dyshuar të Koresë së Veriut. Firma amerikane e teknologjisë i ka ndaluar koreano-veriorët të bashkohen me kompaninë, ndërsa Pheniani dërgon një numër të madh punonjësish të IT-së jashtë vendit për të fituar dhe pastruar fonde.

Në një postim në LinkedIn, Drejtori i Sigurisë i Amazon, Stephen Schmidt, tha javën e kaluar se punëtorët e Koresë së Veriut ishin “përpjekur të siguronin vende pune në distancë në IT me kompani në të gjithë botën, veçanërisht në SHBA”.

“Objektivi i tyre është zakonisht i thjeshtë: të punësohen, të paguhen dhe t’i kanalizojnë pagat për të financuar programet e armëve të regjimit”, tha ai.
Autoritetet në SHBA dhe Korenë e Jugut kanë paralajmëruar për operativët e Phenianit që kryejnë mashtrime online.
Koreano-veriorët zakonisht përdorin “ferma laptopësh” – një kompjuter në Shtetet e Bashkuara që operohet nga distanca nga jashtë vendit, tha ai.
Ai paralajmëroi gjithashtu se problemi nuk kufizohet vetëm te Amazon, por po ndodh në një shkallë të gjerë në të gjithë sektorin e IT-së.
Në korrik, një grua në Arizona u dënua me më shumë se tetë vjet burg për drejtimin e një ferme laptopësh duke ndihmuar punonjësit e IT-së të Koresë së Veriut të siguronin vende pune nga distanca në më shumë se 300 kompani amerikane.
Vitin e kaluar, agjencia e inteligjencës së Seulit paralajmëroi se operativët e Koresë së Veriut kishin përdorur LinkedIn për t’u paraqitur si rekrutues dhe për t’u afruar koreano-jugorëve që punonin në firmat e mbrojtjes për të marrë informacion mbi teknologjitë e tyre.
“Koreja e Veriut po trajnon në mënyrë aktive personel kibernetik dhe po infiltron në vende kyçe në të gjithë botën”, tha për AFP Hong Min, një analist në Institutin Korean për Unifikimin Kombëtar.
“Duke pasur parasysh natyrën e biznesit të Amazon, motivi duket kryesisht ekonomik, me një probabilitet të lartë që operacioni të ishte planifikuar për të vjedhur asetet financiare”, shtoi ai më tej.
Departamenti Amerikan i Thesarit ka akuzuar kriminelët kibernetikë të lidhur me Korenë e Veriut për vjedhjen e mbi 3 miliardë dollarëve gjatë tre viteve të fundit, kryesisht në kriptomonedha.
