Instagram bllokon 135 mijë llogari për shfrytëzim të fëmijëve

Instagrami i Mark Zuckerberg nxori në pah veçori të reja sigurie për adoleshentët dhe fëmijët duke pranuar se u detyrua të bllokonte gati 135,000 llogari në fillim të këtij viti për sjellje grabitqare.
Meta – e cila është përballur me kritika nga zyrtarët federalë dhe shtetërorë për shkak të dështimit të saj për të mbrojtur fëmijët – tha të mërkurën se ekipet e saj të sigurisë bllokuan gati 135,00 llogari “për lënien e komenteve të seksualizuara ose kërkimin e imazheve seksuale nga llogari të menaxhuara nga të rritur që paraqisnin fëmijë nën 13 vjeç”.
“Ne gjithashtu hoqëm edhe 500,000 llogari të tjera në Facebook dhe Instagram që ishin të lidhura me ato llogari origjinale”, tha kompania në një postim në blog.
“Ne i njoftuam njerëzit se kishim hequr një llogari që kishte ndërvepruar në mënyrë të papërshtatshme me përmbajtjen e tyre, duke i inkurajuar ata të ishin të kujdesshëm dhe ta bllokonin e raportonin”, shtoi postimi.
Tani, përdoruesve adoleshentë do t’u jepen më shumë informacione kur llogari të panjohura u dërgojnë mesazhe direkte – duke përfshirë detaje se kur është krijuar llogaria dhe këshilla se si të qëndrojnë të sigurt, tha kompania në një postim në blog të mërkurën.
Llogaritë e adoleshentëve në Instagram kanë gjithashtu një funksion të përditësuar “blloko dhe raporto”, duke u lejuar përdoruesve të sinjalizojnë menjëherë llogaritë grabitqare ndërsa i bllokojnë ato, në vend që ta bëjnë këtë veçmas.
Vetëm në qershor, përdoruesit adoleshentë bllokuan llogari një milion herë dhe raportuan një milion të tjera pasi iu shfaq një njoftim sigurie, sipas Instagram.
Gjigandi i mediave sociale është përpjekur me çdo kusht ta sigurojë publikun se Facebook dhe Instagram janë të sigurt.

Siç raportoi The Post, problemi doli në pah së fundmi gjatë gjyqit të FTC-së që kërkonte një ndarje të detyruar të Instagram dhe WhatsApp. Federalët paraqitën dokumente të brendshme që tregonin se si zyrtarët e Meta-s ishin panikuar në vitet e kaluara në lidhje me “groomers” që synonin fëmijët në Instagram.
Vitin e kaluar, Instagram filloi t’i vendoste automatikisht përdoruesit nën moshën 18 vjeç në “llogari adoleshentësh” dhe t’i bllokonte njerëzit që nuk i ndjekin ata nga shikimi i përmbajtjes së tyre ose bashkëveprimi me ta.
Kompania ka prezantuar gjithashtu veçori të dizajnuara për të mbrojtur automatikisht përdoruesit e mitur nga mesazhet që përmbajnë imazhe nudo.

Më herët këtë vit, një grup dypartiak senatorësh amerikanë riprezantuan Aktin për Sigurinë Online të Fëmijëve, i cili do të miratonte një “detyrim kujdesi” ligjor për Meta-n dhe firmat e tjera të mediave sociale për të mbrojtur përdoruesit e mitur nga dëmi.