Tesla propozon një paketë të re pagese për Elon Musk me vlerë deri në 1 trilion dollarë

Tesla ka propozuar një plan të ri 10-vjeçar kompensimi për CEO-n Elon Musk, i cili mund të arrijë në një vlerë prej 1 trilion dollarësh, edhe pse biznesi i prodhuesit të makinave elektrike po pëson vështirësi dhe kompania ia ka vënë syrin robotikës humanoide dhe inteligjencës artificiale.

Kompania e ka lidhur kompensimin me një numër kriteresh, njëra prej të cilave përfshin rritjen e vlerësimit të përgjithshëm të Teslës nga rreth 1 trilion dollarë në më shumë se 8 trilion dollarë. Plani do t’i jepte Muskut më shumë se 423 milionë aksione shtesë në kompani, duke rritur nivelin e tij të kontrollit në rreth 25%. Musk më parë ka kërcënuar të largohet nga Tesla nëse nuk merr më shumë fuqi votuese.

Propozimi do të votohet nga aksionarët në takimin vjetor të Teslës, i cili është planifikuar për më vonë këtë vit. Detajet e planit vijnë vetëm një muaj pasi kompania njoftoi një paketë kompensimi prej 29 miliardë dollarësh që synonte të kompensonte një plan që u rrëzua nga një gjykatës në Delaware.
Tesla u shkroi aksionarëve në një dokument të paraqitur pranë Komisionit të Letrave me Vlerë se kompania beson se bota është në një “pikë kthese kritike” në shoqëri dhe pretendon se mund të sjellë një epokë “bollëku të qëndrueshëm” duke “prezantuar teknologji inovative dhe të përballueshme në shkallë të gjerë”.
“Tesla mund të ndihmojë në krijimin e një shoqërie që demokratizon mallrat dhe shërbimet autonome”, shkroi kompania.
Tesla shkroi se “vizioni unik” i Musk është “jetik” për “të lundruar në këtë pikë kritike kthese”. Ajo citoi “Master Planin Pjesa IV” të publikuar së fundmi nga kompania, të cilin thotë se Musk “e zbuloi”, edhe pse CEO mezi e pranoi, përveçse ra dakord se i mungonin detaje specifike.